Gjykata e Shkallës së Parë Berat ka dhënë sot “masat e sigurisë” për 5 shtetasit e arrestuar në kuadër të operacionit policor të koduar “Pobrati”, ku u zbulua dhe asgjësua një shtëpi bari në këtë fshat.
Dy vëllezërit nga Fieri: Igli dhe Frederik Borova, pronari i banesës Bejdo Rrapo dhe 2 punonjësit e OSHEE-së Eriglen Bejdo dhe Renato Mingo kanë mbërritur në Gjykatën e Beratit nën masa të rrepta sigurie dhe masat e tyre janë kryer njëra pas tjetrës.
Ka qenë prokurorja Albiona Papajani ajo që ka kërkuar për 3 të arrestuarit masat e sigurisë “arrest me burg” dhe për 2 të tjerët “detyrim paraqitje”. Pasi ka dëgjuar organin e akuzës dhe pretendimet e avokatëve të të arrestuarve, gjyqtarja Entela Gjoni ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për Igli Borova, 29-vieç,banues në Fier; “arrest me burg” me afat 30-ditë për vëllain e tij Frederik Borova,21-vjeç pasi sipas mjekëve ka nevojë për ekzaminime shëndetësore dhe masën e sigurisë “arrest me burg” për 21-vjeçarin Bejdo Rrapo, pronarin e banesës së kthyer në shtëpi bari. “Detyrim paraqitje” kanë qenë masat e sigurisë të dhëna nga gjyqtarja Entela Gjoni për 2 punonjësit e OSHE-së: Eriglen Bejdo,32-vjeç,me detyrë faturist elektrik dhe Renato Mingo, 55 vjeç,me detyrë përgjegjës i grupit të OSHEE-së.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat ka finalizuar të Shtunën e 19 Gushtit operacioni policor të koduar “Pobrati”, ku u zbulua një ambient i përshtatur me llamba dhe pajisje të tjera elektrike për kultivimin e bimëve narkotike. Shtëpia e barit u zbulua në fshatin Pobrat në Dimal,ku policia sekuestroi 80 bimë kanabisi,315 kubik,25 llamba,1 aspirator,6 ventilatorë dhe 20 rritës të energjisë elektrike, që i shërbenin kultivimit të lëndëve narkotike në ambiente të mbyllura.Në kuadër të këtij operacioni, policia arrestoi pronarin e banesës Bejdo Rrapo,21-vjeç dhe dy vëllezërit Igli dhe Frederik Borova, banues në Fier, përkatësisht 29 dhe 21-vjeç,të dyshuar si autorë të kësaj veprimtarie kriminale. Njëri prej vëllezërve, Igli Borova, ishte i shpallur në kërkim në vitin 2021 nga DVP Fier si kultivuesi i bimëve narkotike në një karburant në Lushnje tek “Pushimi i shoferit” dhe Gjykata e Shkallës së Parë Lushnje kishte vendosur për të edhe masën e sigurisë “arrest në burg”. Në kuadër të këtij operacioni, policia arrestoi edhe dy punonjësit e OSHEE-së: Eriglen Bejdo,32-vjeç,me detyrë faturist elektrik dhe Renato Mingo, 55-vjeç,me detyrë përgjegjës i grupit të OSHEE-së, të cilën u akuzuan për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”./BalkanWeb/